Secondary Adv

Bllokimi i aksit Prrenjas-Librazhd: Paralizohet tregtia 1.2 mld euro me Greqinë dhe Maqedoninë

Bllokimi i aksit në juglindje prek tregtinë me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, me një volum prej rreth 1.2 miliardë eurosh në vitin 2025.

117 miliardë lekë tregti me dy vendet fqinje

Bllokimi i lëvizjes në aksin Prrenjas–Librazhd prek drejtpërdrejt pikat kufitare me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, dy partnerë të rëndësishëm tregtarë të Shqipërisë, sidomos në drejtim të shtetit helen. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2025 volumi tregtar me këto dy vende arriti në 117 miliardë lekë, ose rreth 1.2 miliardë euro, duke përbërë 9.5% të tregtisë totale të vendit.

 

Greqia, partner kyç për importet dhe eksportet

Në vitin 2025, tregtia me Greqinë (importe dhe eksporte) arriti në 94 miliardë lekë, ose 960 milionë euro, duke përfaqësuar 7.6% të totalit të tregtisë. Nga Greqia u importuan mallra me vlerë 70 miliardë lekë, duke e renditur atë si partnerin e katërt më të madh për importe, pas Italisë, Kinës dhe Turqisë, me 8% të totalit.

 

Produktet kryesore të importuara janë lëndët djegëse, artikujt e veshjeve, përgatitjet prej zarzavateve, frutave dhe arrave, plastika dhe artikuj prej saj, si edhe frutat dhe arrat e ngrënshme.

Greqia është edhe partneri i tretë për eksportet shqiptare, pas Italisë dhe Kosovës, me 24 miliardë lekë ose 7% të totalit. Artikujt e veshjeve, të lidhur me industrinë fason në jug të vendit, zënë peshën kryesore, të ndjekur nga përgatitjet prej zarzavateve, frutave dhe arrave. Bilanci tregtar për zarzavatet rezulton pothuajse i balancuar mes importeve dhe eksporteve.

 

Maqedonia e Veriut, partner i rëndësishëm rajonal

Maqedonia e Veriut renditet si partneri i shtatë për eksportet shqiptare. Në vitin 2025 drejt këtij tregu u eksportuan rreth 9 miliardë lekë, ose 2.6% e totalit, ku produktet kryesore ishin lëndët djegëse dhe zarzavatet.

Importet nga Maqedonia e Veriut arritën në 14 miliardë lekë, ose 1.5% të totalit, me lëndët djegëse dhe çimenton si produktet kryesore të importuara.

 

Transporti detar mbetet dominues

Megjithatë, pjesa më e madhe e tregtisë së Shqipërisë realizohet përmes transportit detar, kryesisht në Portin e Durrësit, me partnerë kryesorë si Italia, Kina dhe Turqia. Pavarësisht kësaj, bllokimi i një aksi strategjik rrugor në juglindje krijon vështirësi të ndjeshme për flukset tregtare me vendet fqinje dhe rrit kostot e transportit për bizneset që operojnë në këtë korridor.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat